Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Thaçit për dekretin

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjykata Kushtetuese sot ka marrë vendim lidhur me çështjen e mandatarit Hoti, duke i dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë.

Kushtetuesja ka konstatuar se votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re.

Sipas vendimit të gjykatës, dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

“Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk, rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafinm (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore”, thuhet në vendimin e GjK-së.

Sipas Kushtetueses, përkitazi me mundësinë refuzimit të marrjes së mandatit, Gjykata rikujton që në Aktgjykimin KO103/14, ajo kishte konstatuar se “nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.

Më tej theksohet se “përkundër faktit që nuk ishte çështje në rastin para Gjykatës në vitin 2014, ajo e kishte parashikuar mundësinë e refuzimit, pikërisht për të pamundësuar bllokimin e mundshëm të themelimit të Qeverisë në të ardhmen”.

“Ky Aktgjykim, megjithatë nuk kishte saktësuar mënyrën në të cilën mund të bëhet refuzimi i mandatit përkatës. Prandaj, pretendimi i parashtruesve se “Gjykata ka thënë se Presidenti mund të anashkalojë fituesin e zgjedhjeve, vetëm nëse ky heq dorë shprehimisht nga e drejta e tij por në asnjë rrethanë tjetër”, nuk është i saktë. Kjo sepse, edhe autorizimi për partinë politike fituese që refuzimin e marrjes së mandatit ta bëj vetëm shprehimisht, pra mundësia të mos propozoj një emër për mandatar dhe në të njëjtën kohë të mos e refuzoj këtë të drejtë shprehimisht, do ta mveshte partinë politike fituese me të drejtën për të bllokuar procesin e caktimit të mandatarit nga Presidenti”, thuhet ndër të tjera në pikën 30 të vendimit.

 Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 28 maj 2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 28 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesën: 1. KO 72/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e aktgjykimit të Gjykatës (teksti i plotë i aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

Aktgjykim

Lënda: KO 72/20

Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin z. Avdullah Hoti, iu propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 29 [Saktësimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Përfundime

Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore.

Aktgjykimi i plotë, që përmban arsyetim të hollësishëm, do të publikohet në ditët në vijim. Deri në publikimin e tij, përmbledhja në vijim, reflekton përfundimet thelbësore të Gjykatës.

Gjykata rikujton se çështja kushtetuese që ngërthen ky Aktgjykim është përputhshmëria me Kushtetutën e Dekretit të kontestuar të Presidentit të Republikës, përmes të cilit, z. Avdullah Hoti, i është propozuar Kuvendit të Kosovës për kandidat për Kryeministër. Në kontekst të vlerësimit të kushtetutshmërisë së Dekretit të lartcekur, bazuar në pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe argumentet e kundërshtimet e palëve tjera të interesuara, Gjykata fillimisht vlerësoi nëse pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit të votuar me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit më 25 mars 2020, Presidenti i Republikës, bazuar në paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, ishte i detyruar të shpërndajë Kuvendin e Republikës dhe të shpall zgjedhjet e parakohshme. Më tej, Gjykata sqaroi procedurën që duhet ndjekur për formimin e një Qeverie të re, pas një votimi të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë në Kuvend dhe, po ashtu dha vlerësimin e saj nëse në rrethanat e rastit konkret, procedura e ndjekur për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë se re, ka rezultuar në një Dekret kushtetues.

Share.

Kommentarfunktion ist geschlossen.